Dua Lipa nuk mund të vijë në Kosovë, për shkak…

Një feste të madhe në Prishtinë, të organizuar nga institucionet shtetërore, për të shënuar 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, do t’i mungojë këngëtarja kosovare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa.

Ndonëse është kontaktuar nga organizatorët, për t’iu bashkuar festës (bashkë me Rita Orën, tjetër këngëtare kosovare që gëzon famë globalisht), Lipa nuk do të mund të marrë pjesë.

Ndonëse fillimisht u tha se arsyeja e mungesës së saj janë paratë, ngaqë gjoja ka kërkuar që të paguhet nëse kosovarët duan ta dëgjojnë në Prishtinë më 17 shkurt, ajo nuk do të marrë pjesë për një arsye krejt tjetër.

Një koncert i saj, i planifikuar për t’u mbajtur në Australi, me këtë datë, do ta mbajë Lipën jashtë festës së Pavarësisë.

Të afërm të Lipës kanë sqaruar për Gazetën Express se nuk bëhet fjalë se Dua ka kërkuar para që të vijë në Kosovë, për të kënduar për festën e Pavarësisë.

“Asnjëherë nuk kemi biseduar për para apo gjera të tjera. Ne kemi kërkuar nga Qeveria që të na dërgojë një ftesë zyrtare, dhe më pas ajo të shqyrtohet”, thonë të afërm të këngëtares me fame botërore.

“Por, Dua e ka te pamundur të jetë në Kosovë në atë kohë, për shkak të agjendës së saj të fiksuar muaj e muaj më parë”, kanë treguar të afërmit e këngëtares.

Ndërkaq, burimet e Gazetës Express kanë treguar se, për dallim prej Dua Lipës, Rita Ora ka pranuar të vijë dhe të këndojë – pa pagesë.

Nga Presidenca nuk kanë bërë të ditur asnjë detaj rreth ardhjes ose jo të këtyre dy yjeve botëore dhe për koston e gjithë organizimit të festës së Pavarësisë.