Veriu i Kosovës përplas Thaçin dhe Haradinajn

Situata e djeshme ka ftohur marrëdhëniet ndërmjet Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt, pasi Presidenti e ka anashkaluar Kryeministrin rreth intervenimit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës për arrestimin e Gjuriq. Por, një arsye tjetër që dy zyrtarë nuk po shkojnë mirë mes vete kohëve të fundit, është edhe njeriu që e kontrollon Veriun e Kosovës, Milan Radojiçiq, mik i Kryeministrit Haradinaj. Arrestimin e tij po e kërkon Presidenti Thaçi, në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviq.
Burime të Gazetës Express bëjnë me dije se njeriu që e kontrollon veriun e Kosovës Milan Radojçiq, ka tensionuar raportet ndërmjet Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj. Milan Radojçiq, që konsiderohet si shef i mafias në Veri të Kosovës, është edhe mysafir i shpeshtë në Prishtinë, për shkak të raporteve me Ramush Haradinajn.

Më muaj parë, Haradinaj e kishte pritur Radojiçiqin në një nga restoranet e Prishtinës. Por, kohëve të fundit, emri i tij është ndërlidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviq. Kjo, është edhe arsyeja që Presidenti Hashim Thaçi është duke e kërkuar arrestimin e tij. Haradinaj ndërkaq ka raporte me të ngrohta me kapon e Veriut.

Gazeta Express merr vesh se Milan Radojcic ka qëndruar në Shtëpinë e Haradinajn ditëve të fundit kur është diskutuar mundësia që Lista Srpska ta votojë demarkacionin. Aty kanë qenë edhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli.

Sipas burimeve të Gazetës Express Presidenti Hashim Thaçi është duke bërë presion tek institucionet e drejtësisë për arrestimin e Milan Radojcic rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Për implikimin e Radojiçiq në vrasjen e Ivanoviqit kishte folur edhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili kishte thënë se Ivanoviq dhe Radojiçiq kishin pasur konflikt që nga viti 2000.

“ Kam qenë në dijeni për konfliktet e tyre në Veri, ato politike dhe jo vetëm politike. Ka qenë e qartë që dyshimi (për vrasjen e Ivanoviq), do të bie mbi të. Ai (Radojiçiq), e ka ditur se të gjithë do ta drejtojnë gishtin kah ai. Atë që unë po e shohë është se hetimet po zhvillohen në të gjitha drejtimet” kishte thënë Vuçiq.