Vëllazëria sekrete në Vetëvendosje: Aktivistët detyrohen që të martohen mes vete

Lëvizja Vetëvendosje po tenton të lërë nën hije deklaratën e ‘babës’ që thotë se aktivistet janë ngacmuar seksualisht në partinë që ai ka krijuar dhe udhëheq, për të mënjanuar skandalet që rrjedhin nga kjo deklaratë. Express mëson se në fakt, aty tash e sa vite funksionon një vëllazëri sekrete, ku anëtarët betohen se nuk do të martohen me asnjë person tjetër pos aktivistëve të partisë, duke bërë kështu që një numër i madh i tyre të jenë të martuar, në lidhje apo duke bashkëjetuar mes vete.
Në vitin 2014-të, anëtarë të Vetëvendosjes, fytyra publike që tani më janë deputetë e kryetarë të komunave, kishin mbajtur një shkollë, në formë të vëllazërie, ku përveç se ishin diskutuar mënyra të ndryshme të funksionimit të partisë, anëtarët ishin detyruar që të betoheshin se do të martoheshin apo do të hynin në lidhje vetëm me persona që ishin pjesë e Lëvizjes, në këtë mënyrë për të parandaluar çdo njeri që do të mund të dëmtonte këtë parti si dhe të shpërndante informacione të brendshme te personat që synojnë të rrëzojnë atë.

Ish-anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Ajnishahe Halimi ka treguar për Express se vetë ajo ishte pjesë e kësaj shkolle vite më parë, madje ishte revoltuar nga një kusht i tillë, i cili u kërkua nga të parët e partisë.

Ajo konsideron se VV gjithmonë i ka përngjarë një sekti se sa një organizate politike dhe tashmë të gjithë do të mësojnë se aty ka pasur ngacmime seksuale.

Sipas saj, për opinionin një informacion i tillë nuk duhet të jetë risi, pasi që ajo thotë se mbi gjysma e sekretariatit bashkëjeton në mes vete, e madje kanë ndodhur edhe shumë martesa.

“Të gjitha këto lidhje mund të jenë imponime politike sepse në shkollën politike që e organizonte VV është biseduar edhe çështja e lidhjeve të qifteve mes veti, arsyetimi për hir që ta ruajmë lëvizjen, të mos përzihen martesat” thotë ish-pjesëtarja e VV’së.

Në anën tjetër, portali Skenari mëson se deputetët që tashmë janë dorëhequr nga kjo parti kanë krijuar lidhje familjare në mes vete sikurse është rasti i motrës së Dardan Molliqajt që tani është duke bashkëjetuar me Driton Çaushin, e dikur ishte në lidhje me Frashër Krasniqin, e shumë raste të tjera të disa pjesëtarëve që tani kanë dhënë dorëheqje nga partia.

Express ka kontaktuar edhe Nazlie Balën nga Vetëvendosje që merret më çështjet gjinore brenda partisë, e njëjta ka deklaruar se brenda Lëvizjes me të vërtetë ka pasur ngacmime dhe të njëjtat janë bërë të ditura nga ankesat e vajzave të përfshira.

“Ngacmimet më shpesh nuk kanë qenë të drejtpërdrejta, por për shembull e kanë pasur natyrën e paragjykimit apo të mospranimit të refuzimit, p.sh nëse një vajzë nuk e ka pranuar ftesën e përsëritur dhe këmbëngulëse për të dalë në mbrëmje për birra, ajo pastaj është etiketuar dhe është larguar. Por ka patur edhe raste të drejtpërdrejta” thotë Bala, duke pranuar se kishin pasur edhe probleme në adresim të këtyre problemeve në ish-sekretariatin e VV’së.

Gjatë ditës, Express ka kontaktuar edhe deputeten Shqipe Pantina që ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet udhëheqëse në parti. Ajo ka deklaruar se një gjë e tillë është e papranueshme, duke thënë se nëse veç do të kishte informacione të tilla do të denonconte rastin menjëherë te organet e drejtësisë.

Ishte vetë themeluesi dhe tashmë kryetari i VV’së që foli i pari për këto ngacmime publikisht. Ai ka thënë se persona të caktuar kanë ngacmuar aktivistet e Vetëvendosjes që kanë bërë që të njëjtat të mos shkojnë më në zyrat e partisë.

Mirëpo, tash e disa vite Vetëvendosja po thirret në emër të barazisë gjinore në fushata e paraqitja publike, kur në të njëjtën kohë brenda saj kanë ndodhur skandale seksuale të ndryshme./A.K/Express/