Reagon LDK, tregon shenja të përfshirjes në qeveri me PAN’in

Gazeta Metro ka raportuar sot se ka negociata në mes të LDK’së dhe PAN’it, konkretisht kryeministrit Ramush Haradinaj, që pas daljes së Listës Serbe nga qeveria, të krijohet një qeveri e gjerë, pjesë e së cilës do të ishte edhe LDK. Këtë në një far forme e lënë të hapur edhe kjo parti, me anë të një reagimi, lidhur me daljen e Listës Serbe nga qeveria.

LDK në këtë reagim, thotë se nuk do ta lënë fatin e vendit në duar të Listës Serbe, dhe veprimet e ardhshme të kësaj partie do të jenë në dobi të vendit.

“Dalja e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës konfirmon vërejtjet që kemi bërë me rastin e themelimit të Qeverisë, kur votimi i saj u vonua deri sa nuk mbërritën nga Beogradi deputetët e Listës Serbe. Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të jetë stabile, kur shumica e thjeshtë prej 61 votave në Kuvend varet nga deputetët e Listës Serbe, të cilët, fatkeqësisht, janë bërë një instrument i Beogradit dhe nuk sillen si përfaqësues të interesave të qytetarëve të Kosovës, nga të cilët janë votuar”.

“Në këtë gjendje të re të krijuar, LDK-ja garanton qytetarët se veprimet e saj do të jenë të matura dhe, si gjithmonë, në përputhje me interesin nacional të Kosovës. LDK-ja, në asnjë rast, nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës. Qëndrimet e lidershipit të LDK-së, edhe në ditët në vijim, do të jenë në dobi të përmirësimit të situatës dhe të kthimit të saj në favor të Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK’së, dërguar mediave.

Ndërsa Gazeta Metro, sot ka raportuar se LDK pritet të bëhet pjesë e një qeverie me bazë të gjerë.