Qeriqi flet për veteranët e “rrejshëm”, tregon veprimet e prokurorisë

Prokuroria e Shtetit muaj më parë u kishte kërkuar organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, listat e veteranëve për t’i verifikuar pas ankesave të shumta për rritjen e numrit të tyre.

E lidhur me këtë, Xhevdet Qeriqi, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së për gazetën “Bota sot”, thotë se në bazë të informacioneve jo zyrtare, tashmë krejt dokumentacioni gjendet në duart e hetuesve të prokurorisë së shtetit.

Qeriqi thotë se personalisht është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë.

“Ka kohë që e kemi ngritur zërin rreth fryrjeve të listave të veteranëve të UÇK-së, po ashtu reagime kishte edhe nga vet luftëtarët në gjithë vendin rreth keqpërdorimeve nga ana e Komisionit qeveritar, me këto lista. Në bazë të informacioneve jo zyrtare që kam, tashmë krejt ky dokumentacion gjendet në duart e hetuesve të prokurorisë të shtetit. Personalisht jam shprehur i gatshëm që të bashkëpunoj me organet e drejtësisë. Para diku dy tre jave kam qenë i ftuar nga këta të fundit në cilësinë e dëshmitarit, ku kemi bashkëbiseduar rreth keqpërdorimeve nga ana e Komisionit qeveritar, me listat e veteranëve dhe rrugën e cila është më e lehtë për t’i hetuar, unë kam dhënë një dëshmi se cila është forma më e lehtë për hetim”, tha Qeriqi.

Ai thotë se në bazë të arkivave që ekzistojnë, ka dal një jo përputhshmëri e madhe me numrin e veteranëve.

“Në bazë të numrit që ka dalë nga ana e këtij komisioni ku flitet se numri i veteranëve ka arritur diku në 60.000 veteranë dhe në bazë të arkivave që ekzistojnë në disa institucione të vendit, ku luftëtarët e vërtetë ekzistojnë në ato arkiva është një jo përputhshmëri shumë e madhe, po ashtu në bazë të asaj që kam kuptuar ka shkelje të ligjit për veteranët, nga ana e komisionit”, tha ai.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së thotë se prokuroria e shtetit ka bazë të mjaftueshme për ta hetuar këtë proces.

Krejt në fund, Qeriqi thotë se është me rëndësi që këto lista të pastrohen sa më shpejt dhe keqpërdoruesit të marrin dënimin e merituar.

“Mendoj se prokuroria e shtetit ka bazë të mjaftueshme për ta hetuar këtë proces. Çka kam mundur të shohë dhe ta kuptoj unë, institucioni i prokurorisë së shtetit e ka marrë seriozisht këtë proces që ta hetojë, se deri ku kanë shkuar dhe cilat janë rezultatet. Kjo pyetje duhet t’i drejtohet prokurorisë, në mënyrë që të merrni një përgjigje të saktë, sepse personalisht nuk kam asnjë informacion se deri ku kanë shkuar këto hetime. Për ne si luftëtar të UÇK-së është me rëndësi shumë të madhe që këto lista të pastrohen sa më shpejt dhe keqpërdoruesit të marrin dënimin e merituar, sepse kanë dëmtuar imazhin e luftëtarëve dhe po ashtu kanë dëmtuar buxhetin e varfër të shtetit, duke u sjellur përfitime materiale njerëzve të cilët fare nuk kanë qenë në luftë”, ka përfunduar kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi për “Bota sot”.