Prokurori tregon shkaktarin që çoi në vdekjen e dy policëve

Loading...

Policia e Kosovës ka konfirmuar se trupi i pajetë i pjesëtarit të saj i gjetur sot rreth orës 15:45 në ujërat e lumit Lepenc është i Malsor Dashit. Ndërkohë që ekipet e shpëtimit janë duke e kërkuar edhe trupin tjetër. Për gjithë këtë ngjarje, dyshimet e prokurorisë çojnë në aksident trafiku
Rreth këtij rasti, kryeprokurori Shukri Jashari, i cili po i zhvillon hetimet, ka thënë se dyshimet e para çojnë se vetura ka rënë në humnerë.

Ndërkohë vetura të cilën na natën e së shtunës kanë qenë duke e vozitur të dy policët është dërguar për ekzaminim. E gjithë kjo sipas prokurorisë që të jepet dritë në atë se cka e ka shkaktuar aksidentin. Jashari ka treguar se në vendin e ngjarjes edhe një herë do të dalin zyrtarët dhe ekspertët e komunikacionit nga polica e Kosovës për të bërë të ditura shkaqet që quan deri në këtë aksident.

“Vetura është dërguar për në ekspertizë. Kërkesa është bërë, pritet vetëm që të bëhet ekzaminimi. Nuk mund të paragjykojmë nëse vetura ka pasur ndonjë defekt, pasi që në vendin e ngjarjes nuk ka pasur ndonjë gjurmë të frenimit. Dyshimet janë se ata kanë rënë në lumë”, ka deklaruar për Gazetën Express të enjten, kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

Policët e aksidentuar të shtunën kanë qenë në një makinë zyrtare në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit dhe më pas vetura ka rënë nga një lartësi prej rreth 150 metrave në lumin Lepenc.

Kërkimet po bëhen edhe në anën maqedonase të kufirit ndërshtetëror. Autoritetet atje janë në kërkim të trupave të dy policëve, pasi dyshimet janë që rrjedha e ujit ka mundur t’i bartë ata në pjesën e Lepencit që kalon nëpër Maqedoni./Gazeta Express/