Ministri Ismaili premton mbështetje, thotë se gratë nuk do të lihen vetëm në luftën kundër kanceri të gjirit

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili sot është takuar me disa gra të cilat i kanë mbijetuar kancerit të gjirit.

Me këtë rast, Ismaili ka premtuar se Ministria e Shëndetësisë do t’i bashkohet luftës kundër kancerit të gjirit, duke e siguruar fillimisht një sensibilizim më të madh, por edhe duke investuar në aparaturën dhe hapësirën e nevojshme për ta trajtuar këtë sëmundje.

Postimi i plotë i Ismailit në Facebook:

“Momenti më i vështirë në jetën time ka qenë kur në vitin 2003 e zbulova se jam e prekur nga kanceri në gji. Pasoi depresioni, netët pa gjumë dhe eventualisht dhimbjet nga trajtimet e kimioterapisë. Por, gjëja më e keqe që mund të bësh nëse diagnostifikohesh me kancer në gji është fshehja, mbyllja në vetvete dhe dorëzimi.

Asnjëherë mos e humbisni shpresën dhe mos e ndalni luftën. Kanceri në gji nuk është turp, por sëmundje me të cilën ballafaqohen miliona gra sot në botë dhe ju mund ta mposhtni.

Pjesë themelore për mposhtjen e kësaj sëmundjeje është informimi dhe kontrollet e hershme.

Po bëhen 14 vjet qëkur kam hyrë në operacion, por asnjëherë nuk e kam ndalur jetën dhe punën aktive në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë”, Doktoreshë Lumnije Shala, 63 vjeçe, e mbijetuar e kancerit të gjirit.

***************

Rrëfime të fuqishme, por inspiruese dhe frymëzuese si kjo e doktoreshë Lumnijes dëgjova nga të gjitha zonjat me të cilat u takuam dhe të cilat janë ballafaquar me kancerin në gji dhe e kanë mposhtur atë.

Fuqia, guximi dhe dëshira e madhe për jetën që ato kanë treguar në momentet e tyre më kritike shpërfaqin edhe një herë forcën e gruas, të cilën duhet ta marrim shembull të gjithë

Nga ana ime unë i sigurova që këto gra, motra, nëna, bija e gjyshe tona nuk do të lihen vetëm në luftën kundër kanceri të gjirit.

Edhe Ministria e Shëndetësisë do t’i bashkohet kësaj lufte, duke ua siguruar atyre aparaturën dhe hapësirën e nevojshme për ta trajtuar dhe për ta mposhtur këtë sëmundje globale.

U pajtuam që edhe nisja e kampanjave vetëdijesuese, si një mjet për zbulimin e hershëm dhe më pas shërimin e saj, është një mënyrë e mirë për t’i sensibilizuar njerëzit për këtë sëmundje.

Zbulimi i hershëm i Kancerit të Gjirit shpëton jetë. /Telegrafi/