Marrdhëniet Kosovë – Turqi, janë ftohur, Erdogan po takohet me Vuçiqin

Loading...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 6 maj do të qëndrojë në Ankara në një vizitë dyditore, është njoftuar nga kabineti i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

E profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Srgjan Perishiq, vlerëson para vizitës së Presidentit Aleksandar Vuçiq në Ankara dhe Moskë se marrëdhëniet e mira midis këtyre dy vendeve janë në favor të Serbisë.

Ai shton se fokus i këtyre bisedimeve do të jetë bashkëpunimi ekonomik, por edhe çështja e Kosovës.

Perishiq, për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, ka thënë se marrëdhëniet politike dhe ekonomike mes Serbisë dhe Turqisë vetëm sa janë rritur që nga viti 2016, mbi të gjitha me faktin se Turqia në atë kohë kishte ndryshuar politikën e saj dhe ka bërë një distancim nga “politika neo-otomane”.

Ai thotë se deklarata e dikurshme e ministrit turk të Punëve të Jashtme, Ahmet Davutoglu, se “Kosova është Turqi, e Turqia është Kosovë”, sikurse edhe “Bosnja është turke, e Turqia boshnjake”, tani janë me siguri gjëra të së kaluarës.

“Deri tek ky distancim ka ardhur pasi që në maj dhe qershor të vitit 2016 erdhi deri tek ripërtëritja e marrëdhënieve të Turqisë me Rusinë. Kjo ka ndikuar edhe në ndryshimin e politikës së saj karshi Ballkanit. Sikur të mos kishte raporte të mira mes Ankarasë dhe Moskës, s’do të kishte raporte të mira as mes Ankarasë e Beogradit”, ka vlerësuar Perishiq, transmeton Koha.net.

Raportet e mira mes Rusisë e Turqisë shkojnë në të mirë të Serbisë, shton ai, dhe thekson se vizita e Vuçiqit në Turqi, e më pas edhe në Rusi, është vazhdimësi e bashkëpunimit të mirë.

“Rusia është miku ynë shumëshekullor, bashkëpunëtor dhe të gjitha ndryshimet në Rusi pasqyrohen edhe tek ne. Forcimi i saj neve na konvenon krejtësisht. Ruajtja e interesave nacionale të Serbisë me një Rusi të forcuar, interesat tona dhe interesat e Rusisë si fuqi e madhe janë kompatibile dhe në këtë atmosferë po vlerësohet vizita e Vuçiqit në Ankara e Moskë”, shprehet i bindur Perishiq.

Ai shton se në kontekstin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës duhet marrë parasysh edhe faktin se Turqia i ka “ftohur” raportet me Kosovën, e ka ndryshuar politikën sa i përket çështjes së Kosovës.

“Të gjitha këto janë sinjale të mira në pozicionin dhe betejën tonë që Kosova e Metohia edhe më tutje të jetë pjesë e Serbisë. Ata e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, por po ndjehet ky devijim si rezultat i zhvillimeve gjeopolitike në skenën ndërkombëtare”, tha Perishiq.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë se nuk e di se çfarë do të flitet në lidhje me Kosovën në takimin mes Vuçiqit dhe Erdoganit, por thekson se “nuk do të ketë më deklarata nga ana e tyre se Kosova është Turqi”, gjë që, sipas tij, “është avancim gjigant në raportet serbo-turke”.