Lagja “Dardania” mbetet pa ujë shkaku i një gypi

Banorët e lagjes “Dardania”, në Prishtinë nuk janë duke u furnizuar me ujë të pijes që nga ora 09:00 e mëngjesit të sotëm.

Shkaktar i kësaj është prishja e një gypi të Ujësjellësit, në rrugën “Robert Doll”, në këtë lagje.

Banorët ankohen se nuk kanë qenë të njoftuar nëse sot është para parë ndonjë shkyçje e ujit të pijes apo prishje.

Arbërie Zogjani nga kompania e Ujësjellësit Prishtina ka treguar për Insajderin se uji është ndërprerë për shkak të prishjes së një gypi.

“Në rrugën “Robert Doll” na ka njoftuar policia se sot ka shpërthyer një gyp i ujësjellësit edhe për këtë arsye është dashtë që të ndërprehet uji”, ka thënë Zogjani.

Ajo ka shtuar se “puntorët janë në vend të ngjarjes duke punuar dhe nëse ka ndonjë komplikim ne do t’i njoftojm qytetarët”.

Para disa dite edhe banorët e lagjes Emshir në Prishtinë janë ankuar për mungesë të ujit pasi që komuna e Prishtinës gjatë pastrimit të një përrocke ka dëmtuar tubacionin e ujit të pijes.