Klan Kosova demanton KTV’në: Janë gjetur mushkri…

Televizioni Klan Kosova në lajmet qendrore të orës 20:00 përmes gazetarit nga vendi i ngjarjes, ka demantuar televizionin nacional KohaVision (KTV) i cili insistoi se është gjetur edhe trupi i policit të dytë të zhdukur në lumin Lepenc, edhe pas demantimit të këtij lajmi nga ana e policisë.

KTV raportoi se trupi i policit të dytë është gjetur, por policia nuk po e konfirmon këtë zyrtarisht, pasi ai është gjetur copë copë. Por në anën tjetër, Klan Kosova raporton se në operacionin e kërkimit janë gjetur disa mushkri të kafshëve, për të cilat në fillim u mendua se janë pjesë të trupit të policit të zhdukur, Armend Trena.

Megjithatë, sipas gazetarit të Klan Kosova, pas verifikimit nga ana e ekspertëve, u konstatua se ato pjesë të gjetura në lum, janë mushkri të kafshëve, dhe nuk i përkasin trupit të policit të dytë të zhdukur nga e shtuna në lumin Lepencë, pas një aksidenti me veturë.