Këta politikanë po i mbajnë të ngujuar kosovarët për viza

Disa deputetët që po e mbajnë peng liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në anën tjetër, të njëjtit deputetë me gjithë familjet e tyre, kanë pasaporta të shteteve tjera dhe mund të lëvizin lirshëm nëpër vendet e BE’së. Në disa vende, si Australia, nuk lejon udhëheqësit e shtetit të mbajnë më shumë se një shtetësi. Kështu, një deputeti australian, Barnaby Joyce, i ishte marrë mandati dhe i ishte ndaluar kandidimi për t’u bërë përfaqësues i australianëve.

Gati dy milionë qytetarë të mbyllur si kafshë në kafaz për shkak të inateve politike. Në këtë mënyrë, Adriatik Kelmendi, komentoi mungesën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke ua lënë fajin partive politike të cilat po e vazhdojnë garën shkencore e pseudopatriotike me demarkacionin, i cili vazhdon të mbetet kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Por mirë, këta që po bëjnë lojëra me këtë punë i kanë pasaportat për vete dhe për familje, ose të Shqipërisë, ose të Norvegjisë, ose të Britanisë, ose të Zvicrës”, ka shtuar më tej Kelmendi.

Por, kush prej deputetëve ka pasaportë tjetër pos të Kosovës?

Janë të paktën gjashtë deputetë të Vetëvendosjes dhe Kryeministri Haradinaj që posedojnë dokumentin e udhëtimit edhe të shtetit shqiptar.

Në fakt, pos Ramush Haradinaj, edhe Dauti, vëllai i tij dhe familjet e tyre posedojnë pasaporta të Shqipërisë, me të cilat lëvizin lirshëm nëpër vendet e BE’së.

Në këtë formë, Haradinaj bashkë me Albin Kurtin, Glauk Konjufcën, Visar Ymerin, Dardan Molliqajn, Aida Dërgutin e Liburn Aliun mund të shkojnë kur të donë në zonën shengen pa pasur fare nevojë të kërkojnë viza pasi shtetasit shqiptarë e kanë liberalizimin e vizave prej dhjetorit të vitit vitit 2010. Vizë nuk ka nevojë të kërkojë as deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili, i cili ka pasaportë britanike bashkë me fëmijët e tij. Pasaportë britanike ka edhe Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

“Kam edhe vetë pasaportë Britanike, edhe prapëseprapë PO RRI QETU”, kishte thënë Ismaili, në një komunikim publik, kur ishte pyetur se a posedon pasaportë tjetër pos asaj të Kosovës.

Ndërkohë, pasaportë shqiptare ka edhe Rexhep Selimi, deputet i VV’së. Derisa Gani Dreshaj e Sami Kurteshi, nëse nuk kanë pasaportë të vendeve ku kanë jetuar, e kanë të rregulluar çështjen e udhëtimit pa viza.

Sidoqoftë, qytetarët tjerë të Republikës po vazhdojnë të maltretohen para ambasadave europiane në Kosovë për të marrë një cope letre për të udhëtuar jashtë Kosovës.

Më së shumti po dëmtohen qytetarët e Kosovës që kanë fituar kontrata nëpër vendet e BE’së por që nuk po mund të marrin viza ose po iu shtyhet marrja e vizave për shkak të terminëve nëpër ambasada. Asnjë ambasadë nuk ka termin të lirë në gjashtë muajt e ardhshëm për të aplikuar për vizë.

Problemin e udhëtimit si dhe pritjeve të gjata në ambasadat e huaja në Kosovë nuk e ka ministri në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha. Ai ka deklaruar se posedon pasaportë kroate. Por këtë pasaportë Berisha thotë se nuk e përdor.

“E kam pasaportën e Kroacisë por nuk e përdori, udhëtojë me pasaportë të Kosovës. E kam pas vizën për Kanada. Kur të më duhet për udhëtim shkoj dhe aplikoj për vizë”, ka thënë Berisha.

Edhe deputeti i AAK’së, Blerim Kuçi ka thënë se posedon vetëm pasaportën e Shtetit të Kosovës derisa ka konfirmuar se posedon vazhdimisht vizë për të lëvizur lirshëm në vendet e BE’së.

“Kam vizën biznesore’, ka thënë Kuçi, për Express.

Lirshëm për në shtetet e BE’së, mund të lëvizë edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ai ka deklaruar se nuk ka pasaportë tjetër përveç asaj së Republikës së Kosovës duke thënë se ka vizë valide për një vit.

“Pasaportë tjetër përveç asaj së shtetit të Kosovës nuk kam. Kam vizë për të ushtuar rreth vendeve shengen”, ka shtuar ai.

E ndërkohë ish kryetari i komunës së Deçanit i cili tashmë është deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e AAK’së, Rasim Selmanj, ka thënë të dielën për Express, se nuk posedon vizë për udhëtim jashtë Kosovës. Përveç pasaportës diplomatike të Kosovës, Selmanaj ka thënë se nuk ka ndonjë pasaportë tjetër.

“Për momentin nuk kam vizë, e as pasaportë tjetër. E kemi këtë diplomatike por me të njëjtën duhet të presim”, ka thënë ai.

Edhe deputeti tjetër i AAK’së, Shkumbin Demalijaj, ka thënë se nuk ka pasaportë dhe as vizë. Ka thënë se shpreson se kah janari do të marrë një vizë për të udhëtuar zyrtarisht jashtë vendit.

Lirshëm në vendet e BE’së mund të udhëtojnë edhe përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse të njëjtit janë më të zhurmshmit sa i përket versionit aktual të ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi.

Kreu i Lëvizjes, Visar Ymeri, deputetët Albin Kurti, Glauk Konjofca, Aida Dërguti, sekretari organizativ Dardan Molliqaj dhe anëtari i Kryesisë, Liburn Aliu, janë disa nga deputetët e këtij subjekti politik të cilët në gusht të vitit të kaluar të cilët me anë të një dekreti janë pajisur nga ana e presidentit Buajr Nishani me pasaportë shqiptare.

Sidoqoftë, disa vende nëpër botë, ndalojnë zyrtarët e Shtetit të kenë edhe nënshtetësi tjera. Një deputeti në Australi i ishte marrë mandati derisa i ishte ndaluar edhe kandidimi që të bëhet përfaqësues i popullit. Fjala është për rastin e Barnaby Joyce. Australia lejon dyshtetësinë për qytetarët por jo edhe për përfaqësuesit e Shtetit pasi konsiderohet se shkelet një nen i Kushtetutës së saj.