Haradinaj priti Komitetin e grave të verbra të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim përfaqësueset e Komitetit të grave të verbra të Kosovës, të prira nga Bajramshahe Jetullahu. .

Ato e uruan përzemërsisht Kryeministrin për përgjegjësitë e reja, duke ia përmendur faktin se edhe në 100-ditëshin e mandatit të parë të tij në krye të Qeverisë së vendit, ai i kishte pritur ato, dhe që nga atëherë trajtimi i tyre ka mbetur i pandryshuar.

Gratë e verbra thanë se nuk kanë kërkesa të mëdha pos zbatimit të ligjeve që rregullojnë aftësimin e grave të verbra për përdorimin e Alfabetit Brail si dhe punësimin e tyre aty ku ka mundësi.

Kryeministri Haradinaj e ka lutur ministrin e MPMS, Skënder Reçica që ta marrë përsipër trajtimin e kësaj teme, ndërsa ministri është zotuar se kërkesat e grave të verbra nuk do të rrinë gjatë mbi tavolinën e tij, porse do të adresohen për zgjidhje.