Fillojnë gërmimet në Suhodoll, Çerkini: Ndërkombëtarët kanë punuar shkel e shko

Kanë filluar gërmimet sot në fshatin Suhodoll në veri të Mitrovicës në kërkim të personave të pagjetur të luftës së fundit, përkatësisht në lokacionin ku ishte gërmuar tre herë pas luftës dhe ishin gjetur 105 trupa, të cilat janë identifikuar dhe dorëzuar familjarëve.

Përfaqësues të Shoqatave për persona të pagjetur po dyshojnë se edhe pse është gërmuar ky lokacion,në të kaluarën, nuk është vlerësuar sa duhet.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, tha se ka pasur dyshime se pikërisht në këtë lokacion, edhe pse është gërmuar më parë, nuk është vlerësuar mirë.

Sipas tij, nuk mund të përcaktohet numri i personave që dyshohet të jenë në këtë vend, për shkak të varrezave që ndodhen afër.

“Po bëhet gërmimi vlerësues, sipas informacioneve që kemi pasur nuk ka pas edhe më parë gjetje, por ka pasur dyshime që i tërë lokacioni i dyshuar nuk është vlerësuar, kështu që tash ato pjesë dhe ato vende të cilat kanë qenë të pavlerësuara në kuptimin e gërmimit vlerësues po vazhdohet me punime… Numrin e personave nuk mund ta përcaktojmë sepse këtu janë varrezat, pastaj ka pasur gjetje edhe më parë, kështu që vetëm gërmimet vlerësuese përcaktojnë numrin e viktimave gjegjësisht të personave për të cilët po kërkojmë”, ka thënë Gjetaj.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës për persona të pagjetur në Mitrovicë, Bajram Çerkini, ka kritikuar punën e deritashme në këtë lokacion nga ana e ndërkombëtarëve, duke thënë se kanë punuar shkel e shko.

“Kemi dyshuar dhe ende dyshojmë se aty ku ka punuar Tribunali i Hagës, francezët dhe shumë të tjerë, prej UNMIK-ut e deri tash EULEX-i, kanë punuar shkel e shko. Besoj se tash duhet me prokuroritë tona edhe njëherë të vlerësohet aty ku dyshohet”, theksoi Çerkini.
Ndryshe, deri në kohën sa po raportohet nuk është gjetur ndonjë mbetje mortore, ndërsa punimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme.