Edhe xhandarmëria e BIA serbe ia ka mësyrë veriut

Më shumë se 20 pjesëtarë të xhandarmerisë serbe, në mesin e të cilëve edhe spiunë të Agjencisë Informative dhe të Sigurisë së Serbisë (BIA), kanë hyrë gjatë dy ditëve të fundit nga Serbia në territorin e veriut të Kosovës, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
Sipas këtyre burimeve, xhandarët serbë janë në rroba civile dhe kanë hyrë gjatë orëve të natës së shtunë dhe të diel nga kufiri i Jarinjes, ndërsa janë vendosur në konviktin e studentëve afër shkollës ‘Vuk Karaxhiq’ në Zveçan.

“Vllado Trebjeshanin, Miljan Dragoviq, Predrag Rakiç, Bato Llazareviq, janë vetëm disa nga emrat e xhandarëve nga veriu të cilët së bashku me kolegët e tyre nga Serbia ndodhen në veri”, kanë thënë burimet. Në shoqëri të tyre janë edhe struktura tjera dhe njerëz të krimit, që janë nën urdhrat e bosit të ‘nëntokës’ Zvonko Veselinoviq, duke përfshirë edhe ‘Civilna Zastita’-n dhe kreun e saj Stevo Paviçeviq.

Ata janë mobilizuar në atë pjesë për sigurinë e drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriqit dhe sekretarit të përgjithshëm të presidentit të Serbisë, Nikolla Selakoviq. Derisa autoritetet kosovare kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë hyrjen e zyrtarëve serbë pa leje në territorin e Kosovës, mbetet të shihet nëse këta të fundit do të hynë në vendin tonë.