Avokati i Ramabajës: AKI-ja e sugjeroi që të largohej nga vendi [Video]

Avokati mbrojtës i të dyshuarit, Sadri Ramabaja, Ramiz Krasniqi, ka theksuar se është kundërshtuar kërkesa e Prokurorit për caktimin e paraburgimit pasi sipas tij kërkesa ishte e pabazuar dhe e mbështetur në asnjë provë.

“Ishte një kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj Sadri Ramabajës për dy vepra penale dhe normal ne e kemi kundërshtuar kërkesën e Prokurorit pasi ishte kërkesë e pabazuar dhe e pambështetur në asnjë provë. Të paktën Prokuroi është dashur të na japë material rreth dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer dy vepra penale, aq më keq kur thuhet s ka kryer vepër ndaj pjesëtarëve më të lartë të Republikës së Kosovës pa përmendur asnjë emër.I vetmi emër që përmendet është emri i Azem Vllasit, i cili nuk është përfaqësues i Kosovës është një koleg i yni avokat. Pastaj merret me disa takime që i mbrojti im i ka pasur me disa shokë të tij, citohen disa deklarata që nuk dihen nga i kanë marrë dhe nga kanë rrjedhur”, ka thënë avokati mbrojtës i Ramabajës,Krasniqi,raporton Indeksonline.

Gjithashtu ai ka theksuar se nëse thuhet që Gjykata është organ i pavarur, Ramabajës nuk do t’i caktohet masa e paraburgimit.

Ky i fundit madje ka theksuar se ishte pikërisht AKI-ja ajo që ka këshilluar Ramabajën të ikë nga Kosova.

“Ky ka ikur nga Kosova sepse ka qenë seriozisht i kërcënuar, nga shërbime të caktume. Ka marrë informatë nga një pjesëtarë i AKI-së, i cili e ka këshilluar që të ikë nga vendi pasi ai dhe familja et ij janë në rrezik. Pikërisht edhe Policia e ka informuar për një gjë të tillë dhe sygjerimi ka qenë që ai të largohet përkohësisht nga Kosova. Ka marrë informatë nga një pjesëtar i AKI-së dhe çdo informatë që vjen nga ndonjë zyrtar i AKI-së, mendoj se është informatë zyrtare”, ka përfunduar Krasniqi.

Ramabaja ndryshe akuzohet për përgatitje të vrasjeve të përfaqësuesve të lartë, i cili ka arritur të arrestohej nga Policia shqiptare në Durrës, duke dashur që të udhëtojë me dokumente të falsfikuara për në Itali e që më pas është dorëzuar tek autoritetet kosovare./Indeksonline/